Nxënësit e Gjimnazit “17 Shkurti” në Obiliq prezantojnë projektet në kuadër të Javës së Projekteve

Data e Publikimit 6 Qershor 2021

Në Gjimnazin “17Shkurti” në Komunën e Obiliqit, shkollë kjo partnere e Programit “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt” – ASSET, i financuar nga USAID, është organizuar aktiviteti Java e Projekteve.

Gjimnazi 17 Shkurti ishte ndër 8 shkollat partnere të Programit që organizuan këtë aktivitet. Për një periudhë 2-mujore, nxënësit patën rast në veçanti të zhvillojnë dhe aplikojnë shkathtësitë e buta, të nevojshme për jetë dhe punë, siç janë, puna ekipore, zgjidhja e problemeve, kreativiteti, komunikimi me të tjerët, përgjegjësia ndaj punës dhe të tjerëve, etj., të cilat kontribuojnë drejtëpërdrejt në zhvillimin e kompetencave kryesore nga kurrikula shkollore.

Nxënësit së bashku me mësimdhënësit kishin përgatitur edhe ngjarjen në të cilën do të prezantoheshin produktet e tyre finale të realizuara me shumë përkushtim. Prania e Drejtorit Komunal për Arsim dhe përfaqësuesve të Programit në prezantimin e projekteve bëri që shkolla të ndihej e vlerësuar për punën e bërë.

Kështu u shpreh edhe nxënësja Valentina Dedinca e cila na tregoi për Projektin Këndi i Leximit. E pyetur për përvojën e saj gjatë këtij aktiviteti, ajo u shpreh se të gjitha projektet të cilat realizohen në kuadër të shkollës kanë ndikim pozitiv tek nxënësit sepse sipas saj rritet bashkëpunimi. “Është kënaqësi e madhe kur merr njohuri të cilat mund t’i shfrytëzosh për projektet e tjera dhë njëkohësisht na zhvillohen shkathtësitë e buta”, tha ajo.

Prezantimi i projekteve

Ndërkohë shoku i saj, Shaban Preniqi që ishte angazhuar së bashku me 19 nxënës të tjerë në realizimin e projektit Parku i shkollës u shpreh: “Ishte një përvojë e paharrueshme sepse për herë të parë u angazhova në një projekt të tillë. Gjatë aktivitetit kam krijuar shoqëri të re dhe kam fituar njohuri se si të kujdesem ndaj ambientit”.

Për ndikimin e këtyre aktiviteteve praktike u shpreh edhe Drejtori Komunal i Arsimit, Rexhep Zeka, i cili tha “Ajo që mësohet në praktikë, mbahet mend gjithë jetën”, duke i ofruar shkollës përkrahje të mëtejme nga komuna.

Për fund, menaxhmenti i shkollës shprehu falënderimet ndaj Programit ASSET për përkrahjen e Javës së Projekteve duke u zotuar që kjo nismë do të jetë tradicionale për Gjimnazin 17 Shkurti.